Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvend, Hisen Berisha e ka quajtur ilegal fondin e sigurisë, të cilin e hapi Qeveria e Kosovës.
Kjo e fundit iniciativën e saj e arsyetoi me nevojat e ushtrisë. Në këtë “kuletë” për ushtrinë, sipas kryeministrit Albin Kurti, deri tash janë tubuar miliona euro, por nuk e specifikoi shumën e saktë.
“Fondi i Sigurisë është një shkarje e Qeverisë sepse buxheti i mbrojtjes krijohet nga Ministria e Financave përmes rrugëve ligjore dhe sektorit të sigurisë”, u shpreh deputeti Hisen Berisha.
Berisha për “Front Online” tregoi mënyrë tjetër të financimit të ushtrisë, sipas tij, më adekuate.
“Sa i përket procesit të kapaciteteve ushtarake duhet të jetë kërkesë imediate për shtim të tyre. Qeveria duhet t`ia tregojë këtë çështje NATO-s dhe BE-së që me pasë kapacitete të plota ushtarake dhe jo të vazhdohet me procesin afatgjatë që e kemi dhe shtimi i kapaciteteve do të arrihej përmes donacioneve që shtetet mund të bëjnë për shtetet dhe jo përmes fondeve ilegale siç është ky i krijuar tash”, u shpreh Berisha.