Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur këtë të shtunë në takim kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, përcjell InLajmi.
Në takim, sipas Zyrës për Media të presidentes është biseduar për situatën aktuale politike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, pas agresionit ushtarak të Federatë Ruse ndaj Ukrainës.


Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i domosdoshëm se kurrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në anën tjetër kryeparlamentari Xhaferi ka deklaruar se Maqedonia Veriut e mbështet pa rezervë anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Më tej në takimin me krye kuvendarin Xhaferi, presidentja Osmani ka theksuar se Rusia dhe Serbia si aleate të saj po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin.
Prandaj nismën për Ballkanin e Hapur, Presidentja Osmani e konsideron si mjet të Serbisë për shtrirje të hegjemonisë së saj në rajon.
Ndryshe, presidentja Osmani dhe krye parlamentari Xhaferi biseduan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror./InLajmi/




















