Në Kuvendin e Komunës së Deçanit, këtë të shtunë është mbajtur seanca solemne me rastin e ditës së fillimit të Epopesë së UÇK-së, në përkujtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantin legjendar Adem Jasharit dhe rënies heroike të familjes Jashari, përcjell InLajmi.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal Hajdar Sutaj foli në veçanti për figurën emblematike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrificën e familjes Jashari.

“Është ky 24 vjetor i fillimit të UÇK-së,që na kthen në kohë për të kujtuar këto data të rëndësishme që shkruan historinë e vendit tonë.Duke filluar nga 28 Nëntori i vitit 1997, duke vazhduar me rënien heroike të Luan Haradinaj, pastaj me luftën dhe qëndresën e datave 5, 6 dhe 7 Mars, në këtë qëndresë të familjes Jashari në Prekazin legjendar, familje e cila sakrifikoi jetën pë t’i dhënë lavdi atdheut tonë”,tha ai.
Kryetari Ramosaj theksoi që të rralla janë rastet kur një familje shuhet komplet,e pikërisht këto raste janë ato që e ngritin vlerën dhe lavdinë e Kombit tonë.
“E tillë është familja Jasharaj, e cila është dhe do të mbetet krenari e jona. Ky muaj e ka lavdinë e njëjtë si Nëntori dhe Shkurti, sepse pikërisht ky muaj na kujton të mbetemi të bashkuar si popull dhe të kujtojmë që jemi një dhe që luftën për liri e kemi bërë bashkë si Drenicë e Dukagjin. Lavdi të përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari me familje dhe gjithë luftës e të rënëve për Atdhe”,tha Ramosaj./InLajmi/





















