Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të premten se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” për sigurinë bërthamore dhe zbatimin e masave mbrojtëse ndërkombëtare që rezultojnë nga pushtimi rus i Ukrainës, në një deklaratë të dërguar nga Pallati Elysee, transmeton InLajmi.
Macron shtoi se Franca, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, kanë bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje.
“Presidenti i Republikës së Francës dënon fuqishëm çdo sulm ndaj integritetit të objekteve bërthamore civile ukrainase të shkaktuar nga forcat ruse gjatë agresionit të tyre ushtarak kundër Ukrainës. Është e domosdoshme të garantohet siguria e tyre”, thuhet në deklaratën e Elysee.
Presidenti francez i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj të paligjshme dhe të rrezikshme ushtarake në mënyrë që të lejojë kontrollin e plotë nga autoritetet ukrainase mbi të gjitha objektet bërthamore brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
“Rusia duhet gjithashtu të lejojë akses të lirë, të rregullt dhe të papenguar të personelit në objekte për të siguruar funksionimin e tyre të vazhdueshëm të sigurt të objekteve”, shtohet në deklaratën e Elysee.
Sipas deklaratës, Franca do të propozojë në orët e ardhshme “me partnerët e saj kryesorë, në bazë të kritereve teknike të IAEA-s, masa konkrete për të garantuar sigurinë e 5 vendeve kryesore bërthamore të Ukrainës”, shkruan CNN.
“Rusia dhe Ukraina duhet të arrijnë një marrëveshje mbi këtë bazë dhe së bashku të sigurojnë zbatimin e parimeve themelore për ruajtjen e sigurisë bërthamore dhe të sigurisë së objekteve bërthamore në kontekstin aktual”, përfundoi deklarata e Elysee. /InLajmi/