Hapësira ajrore e Malit të Zi është mbyllur të premten për të gjithë avionët rusë, me vendim të Agjencisë së Aviacionit Civil të këtij vendi.
Ky veprim pason masat e ngjashme që kanë ndërmarrë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Për kontrollin e trafikut ajror të Serbisë dhe të Malit të Zi, përgjegjëse është një agjenci e përbashkët e këtyre 2 vendeve.
Megjithatë, Serbia nuk do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, sepse siç ka thënë, nuk do t’iu bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Nga Agjencia për Kontrollin e Trafikut Ajror të Serbisë dhe Malit të Zi, kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, kompetenca për hapësirën ajrore të secilit shtet, është e rregulluar me ligjet e atij shteti dhe i takon Qeverisë së tij.
Në Mal të Zi, kontrollimin e fluturimit deri në 4.400 metra mbi nivelin e detit, e bën Kontrolli i Fluturimit në Podgoricë, ndërsa mbi këtë lartësi, kontrolli kalon te qendra në Beograd. Nga vendet e rajonit, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë mbyllur kufijtë për avionët rusë. Një zyrtar i NATO-s ka thënë të se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur.
“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.”
“Një mbyllje e tillë nuk do të kishte ndikim operacional. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin ditor të mandatit të saj sipas OKB-së”,ka thënë ky zyrtar i NATO-s.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.
Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6.250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkojë nga NATO-ja mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje. Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.