Këtë të enjte me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës vazhdoi aksioni “Brezovica 3” ku janë bastisur 12 lokacione të ndryshme në 4 qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan. Para pak kohësh ai ka përfunduar, përcjell InLajmi.
Aksioni “Brezovica 3”, rezultoi me arrestimin e 7 personave. Në mesin e të arrestuarve janë 3 ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe 4 pronarë të kompanive ndërtimore.
Deri tash raportohet se janë sekuestruar armë zjarri, vetura dhe dokumentacione.
Sa i përket detajeve të arrestimeve dhe konfiskimeve Policia e Kosovës thanë se do të bëhen të ditura pak më vonë.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente edhe sot vazhdoi hetimet dhe veprimet operacionale policore në tri rajone të Kosovës, që ndërlidhen me rastin “Brezovica”, thuhet në përgjigje e PK-së për Reporteri.net.
Sipas prokurorisë, të arrestuarit dyshohen për veprat penale: keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.
Në aksionin e parë të njohur si “Brezovica”, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ishin arrestuar 10 persona në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq./InLajmi/