Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim, raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Në këtë takim, mediet janë lejuar të marrin pamje, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për medie.
Në vizitën e që po i bën Kosovës, raportuesja e Viola von Cramon, nuk ka njoftuar nëse do të ketë takime tjera me krerët institucional.
Von Cramon po shoqërohet nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Konjufca ka shprehur mirënjohje për kontributin e eurodeputetes, duke e cilësuar si zë të fuqishëm në Parlamentin Europian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së.
Ai po ashtu theksoi se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga institucionet e BE-së përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë.
Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor përballë zhvillimeve në Ukrainë ishte një ndër temat e diskutimit në takimin e kryeparlamentarit me eurodeputeten.
Në këtë kontekst, Konjufca ka thënë se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike. Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t’i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.
Eurodeputetja von Cramon konfirmoi përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, integrimin në familjen e Bashkimit Evropian dhe në strukturat euroatlantike, raporton EO.
Ajo ka marrë pjesë edhe në seancën e Kuvendit ku po votohet rezoluta që dënon agresionin rus në Ukrainë e cila u pa me një pankartë në dorë sikurse deputetët e Kuvendit të Kosovës në përkrahje të Ukrainës.




















