Këtë të mërkurë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka mbajtur konferencën Ndërkombëtare me temën “Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të burgosurve në Kosovë, raporton InLajmi.
Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se Kosova është shprehur e gatshme t’i përgjigjet kërkesës së Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve.
“Republika e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që t’i ndihmojë Mbretërisë së Danimarkës në kërkesën që ka pasur për transferimin e të burgosurve që aktualisht mbahen në burgjet e Danimarkës. Për faktin se Mbretërie e Danimarkës është një shtet mik i yni dhe i ka ndihmuar Kosovën për vite të tëra”,tha ajo
Më tej, ministrja Haxhiu ka ritheksuar se Kosova si kompensim për transferimin e 300 të burgosurve do të përfitojë një donacion.
“Unë jam e bindur që nëse Mbretëria e Danimarkës do të synonte edhe ndonjë vend tjetër, natyrisht që kjo ndo të mund të bëhej, besoj që është vlerësuar administrimi i mirë i institucioneve korrektuese në Kosovë. Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme që të bëjmë më shumë më mirë nëqoftëse këto raporte vlerësohen nga organizatat vendore e ndërkombëtare e del që Kosova ka avancim në këtë drejtim. Si kompensim për këtë, Kosova do të përfitojë një donacion milionësh”,tha Haxhiu./InLajmi/