Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se thirrja për anëtarësimin e Kosovës në NATO është një qasje e gabuar, përcjell InLajmi.
Sipas Molliqajt rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO shkon nëpërmjet paqes në Ballkan duke theksuar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Ndër të tjera Molliqaj ka thënë se situata në Ukrainë duhet të na alarmojë për rëndësinë e jetës së njerëzve derisa thotë se vetëm ripërcaktimi i kufijve është zgjidhje.

Ai tutje shtoi se Qeverisë së Kosovës i mungon guximi dhe se kjo do t’i kushtojë vendit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Rruga drejt NATO-s është përmes paqes në Ballkan.
Thirrja për anëtarësim në NATO është qasje e gabuar, nëse jo naive ose dashakeqe e manipulative. Është zhvendosje e temës. Është lajthitje. Nuk ka mundësi anëtarësimi pa njohjen e katër vendeve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Lloji i diskutimit që po ndodhë është pa bazë dhe i gabuar.
Rruga drejt NATO-s shkon përmes paqes në Balkan, përmes marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Idetë për rrugë tjera që kanë pikënisje NATO-n nuk janë as realiste dhe vetëm e zhvendosin temën nga përgjigja e vërtetë ndaj problemit. Konfliktet eventuale me Serbinë kanë adresë zgjidhjen përfundimtare. Çdo hap tjetër është shmangie.
Për më tepër, ky moment duhet të na alarmojë për rëndësinë e jetës së njerëzve dhe mirëqenies së tyre, ngado që ata jetojnë. Pikëvështrimin nga ku shohim të ardhmen tonë drejtë barazisë mes 2 vendeve është motivi i luftës tonë. Ripërcaktimi i kufijve është mundësi dhe zgjidhje. Mungesa e guximit nga ana e Qeverisë së Kosovës do t’i kushtojë vendit tonë, ndërsa kurthimi i hapave vetëm sa na vonon./InLajmi/