Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se vendimi i Qeverisë Kurti për themelimin e Fondit për Ushtrinë është vendim populist. Ai tha se fonde të tilla janë krijuar në vitet e 90-ta kur nuk kishim shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa tash kemi shtetësi dhe pavarësi, kemi institucione të konsoliduara, kemi Qeveri, kemi buxhet më të madh se sa kemi pasur më herët.
“Ne jemi mësuar që të shohim veprime dhe vendime me karakter popullist nga kryeministri Kurti dhe normalisht që pa e analizuar ky është një vendim që të gjithë t’i duartrokasim. Por të analizojmë pak më thellë, ne për vite me radhë sidomos në vitet e 90-ta kemi mbijetuar duke pasur fonde ku qytetarët kanë dhënë pjesë të kursimeve nga të ardhurat e tyre. Ka qenë fondi i 3%, fondi ‘Vendlindja thërret’, pastaj ka pasur edhe fonde tjera. Sot ne jemi shtet, kemi 14 vjet që kemi shtetësi dhe pavarësi, kemi institucione të konsoliduara, kemi Qeveri, kemi buxhet më të madh se sa kemi pasur më herët. Kjo Qeveri është ajo që mburret se e ka rritur shumë buxhetin dhe besoj se kjo Qeveri duhet të planifikojë edhe investimet për ushtrinë dhe për mbrojtjen nga buxheti që në fund të fundit mbushet nga paratë e qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.
Sipas tij buxhetin e vendit nuk e sjell Qeveria nga jashtë por ai është nga taksat e qytetarëve të Kosovës.
“Pra, edhe kur i ndan Qeveria 100 milionë euro për sektorin e mbrojtjes ajo nuk i ndan paratë e veta. Ato janë para të qytetarëve. Sikur të kishim ne një Qeveri të përgjegjshme, kompetente që për fat të keq nuk e kemi, e cila do t’i përgjigjej problemeve dhe krizës së paralajmëruar në sektorin e energjisë, qysh nga fundi i shtatorit nga ana e PDK-së, ne sot nuk do të ishim në situatën kur përkundër që na është rritur çmimi, në disa raste mbi 200%, Qeveria ka ndarë fillimisht 30 milionë euro e tash ka ndarë deri në 100 milionë euro për të subvencionuar energjinë elektrike, e që realisht është subvencionim për KEDS-in”, ka shtuar Krasniqi.
Ai në RTK tha se me këto subvencionime Qeveria ia ka lejuar KEDS-it përmes ZRRE-së që të kërkojë të hyra në një shumë që kalon 160 milonë euro.
“E mira do të ishte që kjo shumë të investohej në ushtri. Pra mos ta sillte punën sa për të bërë shou dhe të krijojë fond të sigurisë siç kanë qenë fondet në të kaluarën kur nuk kemi pasur shtet. Ky veprim është i mirë por nuk mund të hapet fond në këtë formë. Shpresoj mos ta ketë fatin e fondit për diasporën që e krijoi Kurti, ku ishte një shumë jashtëzakonisht e vogël. Pra, ky është vendim populist”, është shprehur Krasniqi.