Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku së fundmi ka reaguar lidhur me lajmin se Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur ndryshimin e ligjit që rregullon skemat pensionale , përcjell InLajmi.
Klinaku tha se deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik.
Po ashtu ai kërkoi që mos të bëhen gjithmonë temë veteranët, pasi që me Ligjin 04/L-261 që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni veteranëve krahas pagës minimale .
Por lidhur me krejt këto tema, Klinaku tha se do të mblidhet me kryesinë dhe do t’i diskutojnë pasi që të përfundojë Epopeja e UÇK-së.
Postimi i plotë i tij:
Në ligjin për ndryshimin e ligjit bazik, me numër: 05/L-141, thuhet:
3.1. Deri ne kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik. E, ai kategorizim as që ka filluar qe 4 vite, për shkak se qeveritë nuk kanë dashur ta bëjnë këtë, por edhe nuk mund të filloj tani, për shkak se dosjet janë në Prokurori, e lënda në Gjykatë.
Prandaj, të mos bëhen çdo herë temë veteranët, të cilëve me ligjin 04/L – 261, që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni krahas pagës minimale.
P.S
Sipas informacioneve, por edhe sipas asaj që kanë shkruar disa medie, thuhet se Qeveria e Kosovës po e përgatit ndryshimin e ligjit në fuqi, për t’mos ua rritur veteranëve pensionet.
Pasi t’i përfundojmë aktivitetet e “Epopesë së UÇK-së” (5,6,7 Mars), do të mblidhemi si kryesi dhe të gjitha degët, që të diskutojmë rreth veprimeve tona./InLajmi/