Dukuria e bullizmit, gjegjësisht përdorimi i qëllimshëm i forcës apo të qenit agresiv ndaj një personi apo një grupi personash vazhdon të jetë një dukuri mjaft shqetësuese që po prek secilën moshë në çdo vend të botës, ndërsa shqetësuese vazhdon të jetë edhe në Kosovë, shkruan InLajmi.
E tash kjo dukuri po theksohet edhe më shumë përmes rrjeteve sociale, në theks të veçantë nga nxënësit në shkolla, por duke mos anashkaluar as moshat më të shtyra.
Muaj më parë, 2 vajza të një shkolle të mesme në Kosovë ia prenë flokët një vajze tjetër duke e shtrirë për toke e pastaj incizimin e krejt asaj që kanë bërë e kanë postuar në rrjetet sociale. Ndërsa jo shumë kohë pas këtij rasti, një arsimtar në Vushtrri u bullizua veç pse në llogaritë e tij sociale publikoi video duke vallëzuar me muzikën e bukur shqipe.
Për këtë dukuri mjaftë shqetësuese, për Gazetën InLajmi kanë folur disa nga drejtorët e shkollave në Prishtinë, të cilët ndër të tjera thanë se kanë punuar shumë që të ‘zbutet’ kjo dukuri.
“Secila klasë në secilën shkollë besoj se e ka nga një nxënës më problematik që ngacmon dikë në klasë, pra siç themi ne me ia gjet ‘hallin’ dikujt. Kemi punuar mjaftë shumë me këto raste. Pastaj kemi edhe fëmijë që janë mjaft të tërhequr, të qetë, nuk flasin. Madje kjo e fundit më shqetëson më shumë. Sepse nganjëherë duke u marrë krejt me nxënësit problematikë, i harrojmë këta që nuk flasin pothuajse kurrë në klasë”,tha për Gazetën InLajmi, Ardiana Makolli-Sadiku, drejtoresha e shkollës “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Më tej, Makolli –Sadiku , thotë se edhe pse kanë punuar mjaftë shumë, përsëri nuk mund të thonë se e kanë çrrënjosur në tërësi bullizmin.
“Kemi mbajtur programe të shumta lidhur me këto dukuri, me OJQ, Policinë. Mund të them se nuk është shqetësuese kjo dukuri në shkollën tonë siç ka qenë më herët”,tha më tej ajo.
Edhe drejtori i shkollës “Model” në Prishtinë, Liridon Maliqi thotë se falë punës intensive që kanë bërë, shkolla që e udhëheq ai përmes punës me psikologë, pastaj përmes trajnimeve me Policinë e OJQ, kanë arritur që ta menaxhojnë mirë këtë dukuri.
“Kemi fituar projekte kundër dhunës në mes të bashkëmoshatarëve dhe rreziqeve që sjell interneti. Inkurajojmë mësimdhënësit që t’i lënë fëmijët të shprehen lirshëm që të fitojnë vetëbesim. Po ashtu kemi dhënë lëvdata e shpërblime për ndërmjetësuesit e rinj, dhe për të gjithë ata që kanë ndikuar për të stopuar apo për të zgjidhur konfliktet që kanë ardhur si pasojë e bullizmit apo ngacmimit”,tha Maliqi për Gazetën InLajmi.
Ndërkohë nga Ministria e Arsimit, bëjnë me dije se sipas përgjegjësive dhe hierarkisë institucionale i kanë adresuar me kohë politikat pёr parandalimin dhe referim të bullizmit.
“MASHTI është hartuese e politikave arsimore dhe mbikëqyrëse e zbatimit të tyre. MASHTI në vazhdimësi ka adresuar edhe tema të tjera të ndjeshme siç janë mbrojtja e fëmijëve në internet, parandalimi i trafikimit me njerëz, paradalimi i dhunës me bazë gjinore, parandalimin e dhunës në familje, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe është duke punuar tutje në edukimin seksual për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”,njoftoi për Gazetën InLajmi, Iliriana Pylla, këshilltare për media e ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavci.
Më tej, Pylla njoftoi se lidhur me këtë çështje kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me partnerë qeveritarë dhe joqeveritarë.
“Vetë trajtimi i fenomenit të bullizmit kërkon qasje ndërsektoriale të veprimit. Kemi bashkëpunuar edhe me agjencionet ndërkombëtare dhe partnerët joqeveritarë ( UNICEF, IOM, GIZ, OSBE, UNDP, Qendra për Arsim e Kosovës, PEN, ATRC etj, programet e të cilëve janë të bashkërenduara me MASHTI-n dhe puna jonë e përbashkët në terren është mjaft e dobishme”,tha më tej ajo.
Në anën tjetër dukurinë e bullizmit e cilësojnë si mjaftë shqetësuese psikologët dhe sociologët, ndërsa në theks të veçantë tregojnë pasojat që mund t’i sjellë kjo dukuri.
“Në efektet afatshkurtëra personat, fëmijët kanë agresion, një lloj agresioni të brendshëm, shfaqin një lloj të shmangies së vendeve ose të ambienteve ku bullisti mundet me u shfaqë. Po ashtu një personit të bullizuar mundet lehtësisht t’i shfaqen sëmundje si pasojë e stresit, po ashtu kanë nota më të ulëta sesa ata që nuk bullizohen. Madje mund të them se kanë edhe ndjenja edhe të vetëvrasjes, në efekte të gjata që personat i reduktojnë “, tha për Gazetën InLajmi, psikologu, Dorjan Krasniqi.
Personat që bullizohen, sipas psikologut shfaqin po ashtu shenja të hakmarrjes dhe ndjenja të zemërimit.
“Po ashtu shfaqin vështirësi për të ju besuar njerëzve, i shmangen njohjes në grupe të reja po ashtu kanë tendenca të rrinë të vetmuar dhe të viktimizuar. Thjeshtë kanë problem me vetëbesimin”,tha Krasniqi.
Por sipas tij, bullizmi shfaqet qysh nga familja, por nëse kjo dukuri eliminohet qysh atëherë, pra me kohë thotë ai, kjo do t’i ndihmonte të gjithëve që të jetojmë në një ambient më të sigurt.
Psikolgia Albulena Mazreku për Gazetën InLajmi tha se tek fëmijët lehtësisht mund të vërehen simptomat se është bullizuar.
“Fëmija mund të ketë humbje oreksi, rri si i ndrojtur, nuk dëshiron të shkojë në shkollë. Por, prindërit, në momentin që e vërejnë se fëmija i tyre është i bullizuar duhet të hapë biseda të ndryshme me qëllim që t’i krijojë fëmijës vetëbesim dhe ndjesinë e të qenurit i pavarur në vetvete. Pastaj duke e mësuar fëmijën po ashtu që duhet të ngrisë zërin aty ku duhet”, thotë psikologia, Mazreku
E pyetur se sa mendon se është punuar sa i përket kësaj çështje në përgjithësi, Mazreku thotë se shumë, ndërsa nuk heziton të tregoj edhe arsyen.
“Sa i përket shtetit në atë se çfarë ka kontribuar, në aspektin pozitiv mendoj që shumë pak sepse mungojnë programe të ndryshme këshilluese, ligjërata nëpër shkolla nga pedagogët apo psikologët me qëllim të vetëdijesimit që bullizmi mund të shkaktojë lëndime të rënda emocionale dhe mundë të jetë fatale qoftë për fëmijë apo të rritur “,tha Mazreku.
Shqetësuese sipas Mazrekut mbetet po ashtu fakti se përveç fëmijëve po bullizohen edhe më të rriturit, siç ishte rasti i profesorit nga Vushtrria i cili u bullizua veç pse vallëzoi me këngë të bukura tonat.
Ndërkaq sociologu Ferdi Kamberi, tha se fenomeni i bullizmit në Kosovë, është goxha i shprehur dhe po manifestohet përmes formave dhe mënyrave të ndryshme.
“Manifestohet në rrugë, në shkollë, në hapësirat publike, në vendet e punës tash së fundi edhe në rrjetet sociale, pasi që edhe ato i frekuentojnë një masë e madhe prej shoqërisë kosovare dhe pothuajse i tërë fokusi është në to. Rasti i fundit ku bullizohet një arsimtar nga komuna e Vushtrrisë, tregon më së miri këtë realitet se ku jemi si shoqëri dhe në cilin nivel të emancipimit jemi. Kujtoj se nuk është rasti i vetëm, raste të tilla kemi pasur edhe me komunitete jo shumicë, por edhe me persona të tjerë të jetës publike apo gazetareske”,tha Kamberi për Gazetën InLajmi.
Sipas sociologut Kamberi efektet nga bullizmi dallojnë nga struktura e moshës dhe gjinisë.
“Tek të rinjtë bullizmi mund të ketë efekte të cilat reflektojnë në mungesë të vetëbesimit, mungesë të integrimit social, performancë të ulët në shkollë, ikje nga orët e mësimit, sjellje devijante apo edhe delikuencë. Tek mosha e mesme, kjo mund të prodhojë pasoja si shkëputja e marrëdhënies së punës, imigrim, ndryshim i vendbanimit, hermetizim social, stres, shfaqje e konflikteve në familje, dhunë. Tek mosha e 3 kjo reflekton më shumë në stigmë, humbje të autoritetit, pasiguri sociale, vuajtje”,theksoi ai.
Në preventivën e këtij fenomeni ose minimizimin e tij, sipas Kamberit duhet që së pari të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me fëmijët në familje.
“Me prindërit duhet të paraqesim preokupimet tona si individ, pastaj duhet që rastet e tilla sidomos në shkolla të paraqiten pranë organeve të shkollës si dhe pranë institucionit të policisë”,theksoi Kamberi.
Në anën tjetër, avokati Arbër Jashari për Gazetën InLajmi tha se kur mekanizmat adekuatë nuk funksionojnë për të ndaluar dukurinë e bullizmit atëherë sanksionimi me Ligj i kësaj dukurie do të ishte mjeti i duhur.
“Konsideroj se kjo çështje, më shumë ka të bëjë me shkallën e edukimit dhe nivelin e mentalitetit të shoqërisë, se sa me mungesa ligjore. Por sido që të jetë, në rastet kur mekanizmat tjerë nuk funksionojnë, atëherë sanksionimi me ligj i kësaj dukurie, do të ishte mjet i duhur”,tha Jashari. Lindita Canolli-Fejzullahi /InLajmi/