Përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Granica, ka komentuar lirimin e masave anti-Covid nga Qeveria e Kosovës gjatë ditës së sotme, ku tha se kjo ditë është festë për ta.
Granica lirimin e masave e cilësoi si çlirim të gastronomisë dhe që këto masa mund të ndikojnë në këndelljen e këtij sektori.
“Është një ditë feste për gastronominë. Kërkesat tona kanë qenë legjitime dhe është dashur që masat të merren në bazë të vlerësimeve epidemiologjike, por megjithatë për ne është festë dhe ditë e veçantë që shënon një lloj çlirimi të gastronomisë nga këto masa”, është shprehur Granica.
Më tej, ai tha se lirimi i masave do të ndikojë për të mirë më së shumti te klubet e natës e sallat e dasmave, pasi sipas tij, këto biznese tash e 23 muaj pothuajse nuk kanë operuar fare.
“Këto masa janë masat e vetme që mund të ndikojnë në këndelljen e gastronomisë e në veçanti të atyre bizneseve që nuk kanë operuar që pothuajse 23 muaj e që janë klubet e natës dhe sallat e dasmave që do të fillojnë funksionalizimin që nga data 7 mars”, ka thënë ai, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, këtë të martë, ka marrë vendim që të lirohen masat anti-Covid, ku përfshijnë heqjen e orës policore, lejimin e dasmave dhe hapjen e klubeve të natës.