Njohës të fushës së sigurisë në Kosovë deklarohen se pushtimi rus në Ukrainë, mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës, gjegjësisht në pjesën veriore të vendit, shkruan InLajmi.
Ish-komandanti i UÇK-së Hisen Berisha, në një prononcim për Gazetën InLajmi tha se në aspektin operativ dhe teknik ekziston mundësia që Serbia ta sulmojë veriun e vendit.
Madje kjo dëshirë e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, Berisha tha se është e kahershme.
“Turbullira e shkaktuar në Ukrainë dhe eskalimi i situatës atje është një moment shumë i favorshëm që Serbia të sulmojë veriun e Kosovës, por të kthehemi te realiteti. E realiteti është se Kosova është nën administrimin e NATO-s”, ka thënë Berisha.
Madje, sipas tij është kompetencë ekskluzive me mandate të Kombeve të Bashkuara që do të thotë se territori i Kosovës është nën administrimin e NATO-s dhe Bashkësisë Ndërkombëtare.
“Siguria dhe mbrojtja territoriale janë kompetencë me mandat nga OKB dhe KFOR kështu që kjo e përjashton çfarëdo mundësie që Serbia të ndërmarrë diçka ose nëse edhe pretendon kjo do të ishte vetëvrasje për të dhe për sistemin e saj politik dhe shtetërorë”,deklaroi më tej Berisha për Gazetën InLajmi.
Ish-komandanti i UÇK-së, bëri po ashtu thirrje tek krerët e shtetit që të angazhohen më shumë krejt së bashku që të ngjallen marrëdhëniet me partnerët ushtarak dhe NATO, për një veprim të zgjeruar të përbashkët për siguri.
“Duhet të rritet gatishmëria, siguria, e jo me kësi qëndrime siç po dëgjojmë se u mbajt mbledhja e Këshillit për siguri të vendit, por nuk mund të themi se çka është biseduar. Nuk duhet të jetë sekret se çka u bisedua, sepse bëhet fjalë për vendin tonë. Duhet ta dijë edhe Serbia se ne jemi të gatshëm së bashku me KFOR-in për ta mbrojtur vendin”,theksoi Berisha. /InLajmi/