Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha të martën se Rusia duhet të ndalojë bombardimet në qytetet ukrainase në mënyrë që të fillojnë bisedimet, transmeton InLajmi.
Raundi i parë i negociatave këtë javë kishte sjellë shumë më pak përparim.
Duke folur në një intervistë, Zelenskiy u kërkoi anëtarëve të NATO-s të vendosin një zonë ndalim-fluturimi për të ndaluar forcën ajrore ruse, duke thënë se kjo do të ishte një masë parandaluese dhe jo për të tërhequr aleancën në luftë me Rusinë.
Zelenskiy, i cili ka refuzuar ofertat për t’u larguar nga kryeqyteti ukrainas ndërsa forcat ruse përparuan, tha gjithashtu se Ukraina do të kërkonte garanci sigurie nëse NATO mbyll derën për perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës.
Duke vendosur kushtet e tij për bisedime të mëtejshme me Rusinë, Zelenskiy i tha Reuters dhe CNN në një intervistë të përbashkët:
“Është e nevojshme që të paktën të ndalet bombardimi, kur të ndalet bombardimi do të ulemi në tryezën e bisedimeve”.
Pikërisht teksa ai po fliste, doli lajmi se një raketë ruse kishte goditur një kullë televizive pranë një vendi përkujtimor të Holokaustit në kryeqytetin ukrainas, duke vrarë të paktën 5 persona. Më herët të martën, raketat goditën qytetin lindor, e që është Kharkivi. /InLajmi/