Sot në Kosovë do të mbajë mot me vranësira dhe reshje lokale bore. Gjatë mesditës dhe pasdites mund të ketë edhe intervale kohore me diell. Temperaturat mimimale pritet të luhaten nga -2 deri në -5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 2 deri në 5 gradë Celsius.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat ende pritet të kushtëzojnë reshje lokale bore në lindje-juglindje dhe veri të vendit. Fjolla bore dhe riga shiu mund të ketë edhe në disa vise tjera.
Reshje bore nesër priten në veriun e Malit të Zi, kurse në Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vetëm lokalisht me fjolla bore.
Edhe të martën na pret mot i ftohtë dhe kryesisht i vranët. Vende-vende ende priten reshje të herëpashershme bore sidomos në viset kodrinore-malore, por rrebeshe bore mund të përfshijnë disa vise bregdetare të Shqipërisë, sidomos në veriperëndim dhe qendër. Lokalisht edhe në viset tjera.
Mëngjesin e së martës reshje bore përpos viseve kontinentale mund të ketë edhe në shumë vise mesdhetare të Shqipërisë duke përfshirë edhe kryeqendrën Tiranën.
Nga e mërkura stabilizim gradual i motit, por do të vazhdojë të jetë ftohtë, me alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Temperaturat ditore pritet të shënojnë rritje të lehta, por pritet acar gjatë mëngjesit dhe natës.