Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Likoshanit dhe Çirezit në nder të 24 vjetorit të rënies së tyre, përcjell InLajmi.
Krasniqi ka thënë se Kosova është e mbushur me vepra heroike të atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e vendit tonë.
Kujtojmë se më 28 shkurt të vitit 1998, luftëtarët e komandantit Adem Jashari u zunë pritë forcave policore serbe në vendin e quajtur, “Te Lisat Gjashtnjakë”, mes Qirezit e Likoshanit. Gjatë luftimeve u vranë 5 policë serbë dhe ranë dëshmorë 4 luftëtarë të UÇK-së, 3 të tjerë u plagosën.
Postimi i plotë i tij:
Kosova është përplot me vepra heronjsh, prej atyre që dhanë gjithçka dhe të gjitha për Atdheun.
24 vjet më parë, ishin banorët e Likoshanit dhe Çirezit që i dolën përballë armikut pushtues, duke mbrojtur shtëpitë dhe nderin me jetët e tyre.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, që u bënë dritë në rrugën e çlirimit!/InLajmi/