Banorët e Ukrainës sa janë të terrorizuar nga lufta aq edhe të guximshëm për ta mbrojtur vendlindjen. Në pjesën Perëndimore të vendit, më shumë ndjehet paniku për ushqim se sa për sulm nga ushtria ruse
Ne arritëm në komunikim të drejtpërdrejtë me 2 nga banoret e Kievit, të cilat kanë arritur të largohen nga kryeqyteti për tu strehuar përkohësisht në qytezën Çervonograd në afërsi të Lvivit. Liuba dhe Irina tregojnë se familjet e tyre janë ngujuar pas shtetrrethimit të Kievit dhe se ato mezi arritën të mbijetojnë.
“Kemi parë ushtarë rusë, kur erdhëm nga Kievi kemi parë diversantë, por nuk dinim saktë çfarë ushtarë janë. Këtu në Ukrainën Perëndimore situata është e mirë. Jemi afër kufirit dhe nëse diçka e tmerrshme ndodh ne do të ikim nga vend ynë për të shpëtuar në një vend tjetër”,tha Liuba Kondrashova, Qytetare e Ukrainës.
Irina tha se trimëria e ukrainasve për t’i bërë ballë armatës ruse por duket në çdo vendbanim, të cilët përveç ushtarakëve janë mobilizuar edhe civilët në të gjitha format e mundshme të rezistencës. Ajo theksoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e tyre të ngujuar në Kiev, por që në vendet e vogla ku po qëndrojnë si në Çervonograd, rreziku eventual iu vjen edhe nga bandat paramilitare.
“Mendoj se civilët nuk kanë shumë municion andaj po bëjnë koktej molotovi, por ka shumë njerëz që kanë lënë shtëpitë e tyre. Kjo është një qytezë e vogël dhe ka më shumë fëmijë, gra e pleq. Burrat janë organizuar të luftojnë, por në këtë vendbanim të vogël në Ukrainë nuk kemi aq përkrahje apo armatim”,u shpreh Irina Kondrashova, Qytetare e Ukrainës, përcjell Alsat.M
Liuba thotë se me shoqen e saj janë evakuuar në ditën e parë të bombardimit të kryeqytetit ukrainas. Ndonëse njëherësh shpëtuan jetën, në këto rrethana po ballafaqohen me mungesë të gjërave ushqimore, ato që arrijnë të gjejnë i paguajnë dyfish.