Një shqiptare e cila jeton në Ukrainë, Nelli Syupyur, koreografe e njohur, vazhdon të jetë atje ku gjendja është e rëndë si pasojë e sulmeve të pandalshme të Rusisë, gjatë ditës së djeshme njoftoi se ka dalë nga shtëpia me djalin e saj të vogël dhe se nuk ka para pasi që bankat janë të mbyllura, përcjell InLajmi.
Mbrëmë, ajo njoftoi se është në tren për një qytet tjetër së bashku me djalin e vogël dhe se ka vetëm 50 euro, jo më shumë, pasi që bankat janë të mbyllura dhe se nuk mund të tërheq para.

Menjëherë pasi shqiptarët kudo që janë kanë dëgjuar për rastin e saj, janë mobilizuar për t’i ndihmuar me të holla, derisa përmes rrjeteve sociale ka pasur raste kur edhe i kanë ofruar strehim.

Por, shqiptarja nga Ukraina sot ka pasur një kërkesë lidhur me krejt këtë.
“Përshëndetje të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë. Faleminderit për ndihmën tuaj. Ju lutem mos më dërgoni para në Ukrainë. Në Ukrainë, banka nuk lëshon para nga jashtë për shkak të rregulloreve ushtarake”,ka shkruar Syupyur në rrjetet sociale.
Ndryshe, ajo po vazhdon rrugëtimin të largohet nga Ukraina për të shpëtuar së bashku me djalin e saj të vogël derisa bashkëshorti i saj ka mbetur të mbroj vendin nga rusët./InLajmi/