Presidentja Vjosa Osmani ka folur për procesin e lobimit për njohje të reja, për çka tha se po bëjnë çdo përpjekje, por se nuk po i bëjnë publike në mënyrë që të mos ketë lobim kundër njohjeve nga shteti i Serbisë.
“Procesi i njohjeve është shumë më i komplikuar sesa thjeshte takim me një shtet. Ne me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kemi bërë takime me një sërë shtetesh jo-njohëse, të cilat për arsye strategjike nuk i bëjmë publike, sepse automatikisht e bënë të qartë për Serbinë se ku duhet të ia mësyjnë ata, andaj në bashkëpunim të plotë me partnerët tanë kemi vendosur që vetëm kur të merret vendimi për njohje, në atë moment pastaj mund ti bëjmë publike të gjitha përpjekjet tona përgjatë këtyre muajve” , tha Osmani.
Osmani po ashtu foli për bisedimet për njohje nga një shtet afrikan, për të cilin shtet kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, kishte pretenduar se e ka sjellë delegacionin e atij shteti në Kosovë, por se po injorohej nga institucionet në vend.
“Një shtet afrikan ka qenë në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme që një kohë të gjatë dhe është organizuar vizita e tyre në Kosovë. Ne kemi takuar delegacionin e tyre të emëruar nga presidentja e atij shteti, ku kemi sqaruar komplet procedurat dhe hapat e mëtejmë. Unë kam dërguar një letër tek presidentja e atij shteti, dhe po presim përgjigjen finale prej tyre”, u shpreh presidentja.
“Kemi vendosur të mos e bëjmë publike këtë takim. Jemi në koordinim me këtë delegacion deri kur ta bëjnë publike njohjen. Ju siguroj se nuk ka asnjë hap që duhet ta bëjnë institucionet e që nuk është bërë”, tha tutje ajo në Rubikon.
“Kemi vendosur që të mos i bëjmë publike deri në momentin që të kemi vendimin – që është një strategji më e mençur sesa të publikojmë fotografi, e Serbia të bëhet shfaqë agresivitetin e saj dhe të prishë procesin”.