Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku së fundmi ka reaguar lidhur me sulmet e Rusisë në Ukrainë, derisa ka kujtuar se Kosova e njeh mirë këtë ndjenjë të terrorit, përcjell InLajmi.
Abdixhiku tutje tha se i dënojnë sulmet e agresionit rus, derisa tha se janë në mbështetje të popullit ukrainas.
Ndër të tjera, kreu i LDK-së, tha se antarësimi Kosovës në NATO, është domosdoshmëri .
Postimi i plotë i tij:
Kosova njeh mirë rëndesën e terrorit e pushtimit. Njeh mirë dhe mohimin e lirisë e luftën e agresorit.
Prandaj rreshtimi ynë shtetëror, tashmë tradicional me aleatët perëndimorë, në dënim të agresionit rus e në mbështetje të popullit ukrainas, është i natyrshëm, i drejtë dhe i paalternativë. Mbi të gjitha është shenjë e qartë e vlerave demokratike e euroatlantike, që Republika e Kosovës i kultivon me bindje.
Ngjarjet e tilla nuk i ndikojmë, por ato na ndikojnë. Ky moment i ri, i rikujtimit të orëve të rënda të luftës në Evropë, duhet të jetë dritare reflektimi për komunitetin ndërkombëtar – për forcim aleancash mes popujve që ndajnë vlera të përbashkëta e synime të qarta përpara. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO – sa më parë – është domosdoshmëri e kohës sonë./InLajmi/