Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur këtë të mërkurë, ka marrë vendim për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, raporton InLajmi.
Kurti ka bërë të ditur se nga 23 shkurt (sot) ky vendim ka hyrë në fuqi, derisa është zotuar për mbështetje dhe angazhim të vazhdueshëm.
“Lidhur me punësimin sot kam marrë vendim që obligon organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 të plotësojnë koutën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Poashtu organet e administratës obligohen që të ndërmarrin veprime për të siguruar qasjen në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara në pajtim me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Vendimi ka hyrë në fuqi sot, ndërsa angazhimi jonë i përbashkët në përmbushje të këtij obligimi vazhdon çdo ditë”,ka thënë kryeministri Kurti./InLajmi/