Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se ka pritur në takim këtë të martë, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, përcjell InLajmi.
Totaj ka thënë se gjatë këtij takimi u bisedua për bashkëpunimin mes 2 vendeve sa i përket zhvillimit të turizmit në qytetin e Prizrenit.
Poashtu, Totaj tha se u bisedua edhe për “Javën e Frankofonisë” që pritet të mbahet gjatë marsit në qytetin e Prizrenit, i cili theksoi se aktivitet në lidhje me këtë do t’i mbështesë dhe me të gjitha kapacitetet që ka komuna e Prizrenit.
Postimi i plotë i tij:
Kënaqësi e veçantë të prisnim sot në Prizren, Shkëlqësinë e Saj, Ambasadoren e Francës, Marie-Christine BUTEL dhe bashkëpunëtorët e saj. Zhvilluam një bashkëbisedim shumë konstruktiv me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit mes nesh, për zhvillimin e jetës kulturore, artistike dhe turizmin në qytetin e Prizrenit.
Gjithashtu, biseduam për “Javën e Frankofonisë” që do të mbahet gjatë marsit në qytetin e Prizrenit, aktivitet për të cilin shpreha gatishmërinë t’i ndihmoj dhe t’i mbështes me të gjitha kapacitetet që kemi ne si komunë. Çështje shumë e rëndësishme e ngritur gjatë takimit ishte dhe mundësia e inicimit të procedurave për binjakëzim me një qytet në Francë, bashkëpunim i cili mund të ndihmonte në ngritjen e kapaciteteve kulturore, artistike dhe turistike të Komunës së Prizrenit.
Si rrjedhojë e këtij takimi, Shkëlqësia e Saj, Butel në emër të Ambasadës së Francës, u shpreh optimiste për urat e bashkëpunimit që mund t’i ndërtojmë së bashku./InLajmi/