Ligji për Paga pritet të shkojë në Kuvend nga Qeveria në muajin mars, dhe ende pa u bërë publik nga Qeveria, reagime e kundërshtime të shumta ka pasur nga disa sindikata të Kosovës që i kanë vlerësuar të padrejtë këta koeficientë, shkruan InLajmi.
Sa i përket kësaj çështje, Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka folur për Gazetën InLajmi, i cili ka thënë se janë kundër kësaj.
‘’Federata nuk ka qenë pjesë përbërëse e kominsionit për përpunimin e këtij draft-ligji. Dhe krejt gjërat që kanë dalë në opinion janë më shumë spekulime, të të gjithë neve që nuk i dimë apo është pasojë e jotransparencës së Qeverisë së Kosovës’’.
Syla më pas ka thënë se nuk janë në dijeni për vlerën e këtij koeficienti që po qarkullon ditëve të fundit, madje as vlera e tij nuk dihet, por sido që të jetë janë kundër.
‘’Nëse është e vërtetë që po qarkullojnë koeficentat, që ne as vlerën nuk po e dimë, ne jemi kundër kësaj, që të shkohet në këtë nivel të këtij koeficienti, dhe definitivisht nese ndodh kjo, që këta ta bëjnë këtë gjë krye në veti, e që ofendojnë në këtë mënyrë punëtorët shëndetësorë, në veçanti po flas për infermierët, do të ketë veprime sindikale, dhe me këtë do të merret edhe organi më i lartë’’, shtoi Syla për InLajmi.
Kryetari i FSSHK-së, tha se përfundimisht kemi të bëjmë me jotransparencë dhe manipulim nga Qeveria e Kosovës.
Po ashtu Syla tha se kanë provuar të takohen tash e një vit me Qeverinë porse nuk kanë pranuar një takim në lidhje me këtë çështje me Sindikatat.
‘’Ne kemi provu me kete qeveri që një vit, me u taku, kërkesat janë të vazhdueshme, vetëm një takim e kemi pas para 10 ditëve për draftin dhe jo për koefecientin dhe tjetër takim nuk dojnë me pas dhe nuk na kanë dhënë mundësi takimi’’, tha ai.
Gjithashtu Blerim Syla tha se nëse ky ligj nuk shkon deri më 1 mars do të ndërmarrin veprime të ashpra së bashku me sindikatat e tjera.
‘’Nëse ky ligj nuk shkon deri në fund të marsit, do të kompletohet me vemprimet e kombinuara me sindikatat e tjera, ne nuk do të bëjmë asgjë vetëm, duke mos harruar që këtu po preken 85 mijë puntorë të shendetit publik, prandaj veprimet tona munden me qenë shumë të ashpra’’, tha ai./InLajmi/