Profesori universitar i diplomacisë, Ibrahim Gashi, ka thënë se nuk është aspak befasi futja e trupave ruse në Donetsk dhe Luhansk, rajonin e Ukrainës lindore.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ai ka folur rreth asaj se pas këtij veprimi a ka rrezik që të shpërthejë një luftë në Ukrainë.
“Lufta kam shpresën dhe bindjen se nuk do të jetë e përgjithshme, do të jetë luftë e lokalizuar në ato treva. Do ta shohim, por Ukraina e ka të vështirë t’i rikthejë sërish ato zona. Ushtria ruse e kam bindjen se nuk do të shkojë më thellë se në Donetsk dhe në Luhansk, pra në ato dy krahina që tashmë janë vetëshpallur të pavarura dhe janë njohur nga Rusia. Ideja është ato me i mbrojt nga një invadim ta quajmë kushtimisht i forcave ukrainase aty, në atë pjesë mund të ketë luftime, nuk mund ta përjashtojmë. Ukraina do ta ketë të vështirë t’a kthejë mbrapa ushtrinë ruse”, ka thënë Gashi.
Gashi ka theksuar se konflikti do të jetë i lokalizuar në Ukrainë, por se nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkan.
“Vazhdoj të besoj se konflikti do të jetë i lokalizuar, nuk është se kjo do të prodhojë shumë efekte në Ballkan. Një luftë më e madhe me përfshirje edhe të akterëve të tjerë ndërkombëtarë direkt ose indirekt, sigurisht që mund të prodhonte efekte edhe në zhvillimet në Ballkan. Mirëpo, nëse qëllimi do të jetë marrja e atyre dy krahinave, atëherë mendoj se kjo nuk do të ketë refleksione të drejtpërdrejta në Ballkan. Sigurisht do të marrë vëmendje dhe do të ketë një shpërqendrim të faktorëve ndërkombëtarë nga Kosova atje, derisa palët të ulen të bisedojnë ose të ketë ndonjë pushim të konfliktit”, ka thënë Gashi.