Ambasadorja e Italisë në Australi, Francesca Tardioli, ka vdekur pasi është rrëzuar nga ballkoni i shtëpisë së saj, derisa ishte me pushime në vendlindjen e saj.
Tardioli vdiq në shtëpinë e saj në Foligno, gjatë mbrëmjes të së shtunës, kur ajo kishte qenë e vetme gjatë asaj kohe.
Një anëtar i familjes kishte lajmëruar autoritetet, por shërbimet e urgjencës nuk mundën ta kthenin në jetë atë.
Policia tani po heton ngjarjen.
“Me pikëllim të pafund, ne vajtojmë ndarjen nga jeta të Francesca Tardioli, Ambasadores së Italisë në Canberra dhe bashkohemi në pikëllimin e të dashurve të saj”, shkroi Ministria e Jashtme italiane në Twitter. “Do ta kujtojmë me dashuri për cilësitë e saj të admirueshme profesionale dhe njerëzore: një diplomate e madhe dhe shërbëtore e shtetit”,shtoi ajo.
Kryetari i bashkisë së Folignos, Stefano Zuccarini, e përshkroi Tardiolin si një “shoqe të shquar” dhe tha se ishte i mbushur me “dhimbje dhe emocione të thella për lajmin tragjik”, transmeton Euronews.
Tardioli ishte ambasadore në Australi që nga shtatori i vitit 2019.
56-vjeçarja kishte shërbyer edhe si ambasadore e Italisë në Shqipëri dhe Arabinë Saudite, pasi iu bashkua Shërbimit Diplomatik Kombëtar Italian në vitin 1991.