Vizitën e paralajmëruar e shefit të shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të Putinit, këtë javë vjen në Beograd, e sheh si rrezik për Ballkanin, analisti i njohur në vend, Agon Maliqi, përcjell InLajmi.
E kjo vizitë sipas Maliqit po ndodhë pikërisht kur ka tensione në mes të Rusisë dhe Ukrainës, derisa shtoi se me shumë gjasë është presioni ndaj Beogradit për të hapur një front të ri destabilizimi në rajon, gjegjësisht në Bosnje dhe Hercegovinë apo edhe për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të vendit.
Tutje, në këtë kontekst, sipas tij Kosova e mbrojtur nga NATO nuk e ka luksin të vazhdojë me qasjen sovraniste dhe shpërfillëse ndaj aleatëve, duke ndjekur fitore taktike që zgjojnë emocione të momentit, sikur targat apo zgjedhjet, duke e humbur pastaj perspektivën strategjike.
Postimi i plotë i tij:
Mirëmëngjes. Në kulmin e tensioneve në Ukrainë, shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të Putinit, këtë javë vjen në Beograd.
Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjës, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës.
Vuçiq e ka mbështetur agjendën ruse në shumë sfera, por në përpjekje për të balancuar dhe për t’i mbajtur raportet me perëndimin, dhe i vetëdijshëm për pasojat, deri tani është treguar skeptik dhe frenues ndaj Dodikut.
Nëse vazhdon t’i rezistojë këtij presioni në këtë moment thyerjesh të mëdha gjeopolitike, pikët e fituara nga Vuçiq në perëndim, veçanërisht në SHBA, janë të larta.
Nëse u hyn aventurave, e djeg gjithë mundin diplomatik të një dekade. Në cilëndo rrethanë dhe sido që të zhvillohet, ky konflikt mes perëndimit dhe Rusisë do ta ridefinojë kontekstin e sigurisë në Evropë, ku Rusia e sheh fatin e Ballkanit dhe atë të ish shteteve Sovjetike si të ndërlidhura – si sfera interesi me mundësi pazaresh dhe shkëmbimesh.
Në këtë kontekst, Kosova e mbrojtur nga NATO nuk e ka luksin të vazhdojë me qasjen sovraniste dhe shpërfillëse ndaj aleatëve, duke ndjekur fitore taktike që zgjojnë emocione të momentit (psh. targat, zgjedhjet) dhe duke e humbur perspektivën strategjike.
Rezultati i kësaj qasjeje është se Kosovën nuk e pret më kush nga nivelet e larta në SHBA, madje as për kafe në margjinat e konferencës së Mynihut./InLajmi/




















