Nga fillimi i procesit, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka pasur fare progres, gjegjësisht lëvizje të ndryshimeve të qëndrimeve të të 2 palëve, tha profesori universitar, Milazim Krasniqi, shkruan InLajmi.
Profesori Krasniqi në një prononcim për Gazetën InLajmi tha se takimet intensive pritet të jenë pas muajit maj, kur edhe priten të përfundojnë zgjedhjet në Serbi dhe Francë.
E deri tash takimet në mes të 2 palëve në procesin e dialogut në Bruksel kanë qenë më shumë përgatitore.
“Në dialogun që do të nisë nesër takimet do të jenë më shumë për zbutjen e klimës, përgatitja psikologjike për procesin e ardhshëm i cili mund të nis nga muaji maj e deri ka fundi i vitit. Kjo do të ndodhë kur të kryhen zgjedhjet në Francë dhe Serbi, pra pas majit, ndërsa pas kësaj llogaritet se dialogu do të ketë intensitet shumë më të madh”,ritheksoi profesori Krasniqi.
Tutje, Krasniqi tha se tashmë janë kompletuar ekipet ndërkombëtare me emisar për dialog në SHBA, Britani e Madhe dhe BE.
“Serbia i ka zgjedhjet në prill dhe nuk ka kurrfarë shancesh që Aleksandar Vuçiq të lëvizë diçka sepse do të dëmtohej në zgjedhjet që mbahen. Pastaj do të kritikohej se përse ka lëshuar pe”,tha Krasniqi për Gazetën InLajmi.
Ndryshe, krerët e shtetit nesër do të marrin pjesë në Bruksel në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, proces ky i cili do të fillojë pas 3 muaj e gjysmë pauzë. /InLajmi/