Këngëtarja kosovare me famë botërore Rita Ora, ka treguar se ka qenë e vështirë të rritej si emigrante në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo tha se shpeshë ndihej e ‘përjashtuar’ nga shoqëria kur ishte fëmijë.
Ylli botëror në intervistën për “ELLE Spain” tha se përdori muzikën për të përballuar vështirësitë që haste në Britani, për shkak të prejardhjes së saj.
“Mendoj se sfida e vërtetë ishte se ndihesha si një e huaj dhe se nuk kisha një vend të përkatësisë. Po, kjo ishte gjëja më e vështirë për mua, por, siç e kam theksuar edhe më parë, muzika më ndihmoi shumë për të përballuar ato ndjenja. Pavarësisht nëse dëgjoja apo aktroj, ishte mënyra ime për t’u lidhur me botën. Kjo është fuqia e fundit e muzikës: ajo na lejon të krijojmë lidhje me njerëz që ndryshe nuk do t’i kishim, na jep një ndjenjë të komunitetit dhe ndjenjën se nuk jemi vetëm në këtë planet”, është shprehur këngëtarja.
Edhe pse Londra tashmë është shtëpia e saj, ajo tha se Kosova është ‘ende shumë afër zemrës së saj’. “Për pjesën tjetër të jetës sime do të ndiej një pasion të pafund për refugjatët, sepse unë jam një e tillë dhe do të jem gjithmonë”.
31 vjeçarja, u largua nga Kosova dhe u transferua në Angli në vitin 1991. Rita u rrit në lagjen Notting Hill të Londrës dhe më vonë ndoqi shkollën e arteve “Sylvia Young” në kryeqytetin britanik, transmeton oranews.tv.
Rita ka lindur në Prishtinë nga prindërit e saj shqiptarë, Vera, një psikiatre dhe babai i saj Besniku, një pronar i një pijetore në Londër, që kishte studiuar më parë për ekonomi.