Zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrskiy, ishin shumë pranë vendit ku ndodhën granatimet, gjatë një vizite të tyre në frontin e luftës, ku forcat qeveritare po luftojnë me separatistët në lindje të Ukrainës.
Zyrtarët arritën që të strehoheshin para se granatimet të godisnin zonën. Një gazetar i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, që përcolli vizitën e zyrtarëve, tha se granatat ranë 300 metra nga lokacioni ku gjendeshin zyrtarët dhe gazetarët.
Më herët gjatë ditës, liderët e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë urdhëruar mobilizimin e plotë ushtarak, teksa është rritur frika për pushtimin e Ukrainës.
Kanë qenë pothuajse 600 shkelje të armëpushimit në lindje të Ukrainës në 24 orët e fundit, përfshirë 300 shpërthime, tha ekipi monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 18 shkurt, shkruan REL.
Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime, teksa separatistët në Donetsk kanë thënë se dhjetëra granata janë hedhur në territorin e tyre, ndërkaq pala ukrainase ka raportuar për 19 shkelje të armëpushimit nga separatistët.