Policia në Otavë arrestoi të paktën 3 protestues, duke përfshirë 2 organizatorë të protestës në përpjekje për të hequr bllokimin 3 javor të kryeqytetit kanadez nga qindra shoferë kamionësh të zemëruar me kufizimet që Kanadaja ka vendosur për COVID-19.
2 organizatorët, Chris Barber dhe Tamara Lich, ndodhen në paraburgim dhe mund të përballen me akuza penale. Nga frika e përshkallëzimit, policia e Otavës ka kërkuar t’i shpërndajë protestuesit me vendosjen e gjobave dhe kërcënimeve për arrestime, por megjithatë qindra prej tyre u zhvendosën pavarësisht temperaturave të ulëta, duke pastruar ngadalë një pjesë të qytetit.
Nuk kanë munguar edhe momente të tensioni, pasi disa protestues janë tërhequr zvarrë nga automjetet e tyre. Autoritet mbyllën disa akse rrugore për të parandaluar më shumë protestues të arrinin në qendër të kryeqytetit. Ata ngritën qindra pika kontrolli për të kontrolluar personat dhe automjetet që hynin në zonën qendrore të qytetit, transmeton Klan TV.
Kryeqyteti me rrugët e tij të paralizuara ishte pika e fundit e fortë e kësaj lëvizjeje, pas bllokimit që ndërpreu edhe kalimin e kufirit me Shtetet e Bashkuara, ka krijuar një dëm ekonomik për të dyja vendet dhe ka shkaktuar një krizë politike për Kryeministrin Justin Trudeau.