Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “Shpallja non grata e Berishës është meritë 100% e Sali Berishës”. Këto komente ai i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët shqiptarë që e kanë shoqëruar në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ramës, SHBA-ja vetëm ka konfirmuar meritën e ish-kryeministrit Berisha për shpalljen non grata, ndërsa shprehu keqardhjen për të gjithë ata që besojnë se ky vendim është financuar nga palë të 3-ta apo faktorë të jashtëm.
“SHBA-ja thjesht e ka konfirmuar vendimin e tyre për meritën e tij për të gjitha ato për të cilat ata e kanë shpallur non grata dhe të thuash që qeveria e SHBA-së mund të financohet nga faktorë të jashtëm për vendime të kësaj natyre do të thotë që SHBA-ja është shtet pa integritet, seriozitet, e dinjitet dhe që kanë një qeveri që korruptohet për qëllime të të 3-ëve. Kjo është jashtë realitetit, këto vendime merren me procese të mirë përcaktuara dhe nuk kanë asnjë lidhje me faktorë të jashtëm”, tha ai.
Rama thekson që nëse SHBA-ja do të financoheshin nga faktorë të jashtëm, ato do të ishin peng i diktaturave me pasuri marramendëse, por SHBA-ja ka tjetër qasje, përcjell A2CNN.
“Nëse SHBA-ja do të financohej kaq kollaj do të ishte peng i diktaturave dhe regjimeve që kanë pasuri marramendëse, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë se SHBA-ja ka tjetër qasje e mënyrë funksionimi dhe është e gjitha një farsë për të ardhur keq dhe keq ata që i besojnë këto marrëzira”, shtoi ai.