Copëza metali janë gjetur brenda disa ampulave të antibiotikut ‘Ceftriaxone’ në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa kjo ka ndodhur për të 2-tën herë brenda 2 muajve, shkruan InLajmi.
Antibiotiku ‘Ceftriaxone’ është prodhim i kompanisë “Syner Medico” në Indi.
Në lidhje me këtë problem ka folur për Gazetën InLajmi, ish-drejtori i Klinikës Infektive, infektologu i njohur, Hamdi Ramadani i cili ka thënë se kjo është shqetësuese.
‘’Në këtë drejtim duhet me ndërhy një ekspert më hollësisht si organet profesionale dhe organet kompetente, të politikës dhe të Policisë së Kosovës për ta kuptuar se a ka ndodhë me qëllim apo jo’’, tha mjeku Ramadani për InLajmin.
Ramadani, ka thënë se personalisht përgjatë punës së tij nuk ka hasur në kësi raste dhe se nuk ka informacione për këtë çështje.
Ndërsa sa i përket pasojave që mund të shkaktohen nga ky rast si te fëmijët ashtu edhe tek të rriturit, Ramadani ka thënë se vetëm gjëra të mira nuk mund të priten sa i përket gjetjes së copëzave të metalit në antibiotikë.
‘’Me siguri që gjëra të mira nuk priten, sigurisht që vetëm gjëra të këqija mund të shkaktoj por që unë me përvojën time nuk e di se çfarë’’, tha ai.
Tutje ai ka thënë se për këtë çështje duhet të hulumtojë në detaje Mjekësia Ligjore.
‘’Për këtë çështje duhet të merret Mjekësia Ligjore apo mjeku ligjor dhe duhet ta amnistoj këtë rast së bashku me policinë sepse nuk kam njohuri apo të dhëna se çfarë pasoja mund të ketë nëse ndodh diçka e tillë’’,ka theksuar për Gazetën InLajmi, Ramadani.
Ndryshe, së fundmi para mediave ka folur në lidhje me paraqitjen e këtij problemi, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili tha se pas marrjes së informacionit, menjëherë i kanë informuar organet kompetente si dhe i kanë marrë veprimet të cilat i takojnë këtij institucioni shëndetësor. /InLajmi/