Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, thotë se ka frikë që sulmi i Rusisë “nuk do të ndalej në Ukrainë”.
“Ky është një sulm ndaj shteteve fqinje të Rusisë dhe shteteve të tjera në Europën Lindore, një përpjekje për të minuar legjitimitetin e tyre për të qenë pjesë e NATO-s”, tha Truss.
Ajo shtoi se një pushtim i Ukrainës, do të sillte minimin e sigurisë në të gjithë Europën.
“Mund të shohim gjithashtu agresorë të tjerë nëpër botë, të cilët do ta shikojnë këtë si mundësi për të zgjeruar ambiciet e tyre, kështu që ky është një moment shumë i rrezikshëm për të gjithë globin”, foli ajo në një intervistë me Sky News.
Ajo paralajmëroi se pushtimi mund të ndodhë ende shumë shpejt, pavarësisht tërheqjes së paralajmëruar të trupave ruse. Sipas Truss, sulmi mund të bëhet drejtpërdrejt në Kiev, ose në Lindje, ose mund të ketë një operacion provokues nga brenda Ukrainës, transmeton Insajderi.
“Trupat ruse mund të mbërrijnë në Kiev nga zonat kufitare shumë shpejt”, tha Truss.