Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë sqarime për deklaratën e tij të mëparshme se Rusia do të sulmojë Ukrainën më 16 shkurt.
Pak kohë pasi lëshoi një deklaratë ku tha se kishte dëgjuar se Rusia do të sulmonte vendin e tij më 16 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, lëshoi një sqarim duke shpjeguar se ai i referohej vetëm raportimeve të mediave për një sulm të mundshëm.
Këshilltari i presidentit u tërhoq nga deklarata e udhëheqësit se “16 shkurti do të jetë dita e sulmit” ndaj Ukrainës nga Rusia.
Mykhailo Podoliak tha se Zelensky nuk i nënkuptoi fjalë për fjalë pretendimet për sulmin e të mërkurës, por ishte ironik.
Sipas zëdhënësit të Zelensky-t, Sergii Nykyforov, deklarata e tij i referohej datave të raportuara tashmë nga shtypi diku tjetër.
“Presidenti iu referua një date që u përhap nga media”,tha Nykyforov për NBC News.
Data 16 shkurt, sipas Zelensky do të shpallet “Dita e Unitetit” për ukrainasit – ndryshe nga çfarë është paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë në atë datë.
“Nuk është hera e parë që Ukraina kërcënohet me luftë, por vendi ynë është më i fortë se kurrë”,theksoi presidenti ukrainas.
Vetëm pas kësaj deklarate rrjeti amerikan televiziv “CNN” shkroi në Twitter se Zelensky ishte në dijeni të datës së sulmit, transmeton lajmi.net
Siç raporton NBC News, Rusia, e cila ka vendosur rreth 130.000 trupa, si dhe tanke dhe njësi të tjera ushtarake pranë kufijve të Ukrainës, mohon se po planifikon të pushtojë përsëri ish-republikën e saj sovjetike.




















