Ministrat e financave të grupit G7 paralajmëruan Rusinë për pasoja “të mëdha” ekonomike, nëse vendos që ta pushtojë Ukrainën.
G7 po ashtu premtoi ndihmë për ekonominë ukrainase.
“Grumbullimi i vazhdueshëm ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës është shkak për shqetësim të madh. Ne, ministrat e financave të G7-ës, theksojmë gatishmërinë tonë për të reaguar menjëherë dhe në mënyrë të vendosur për të mbështetur ekonominë ukrainase”, u tha në deklaratën e përbashkët.
“Çdo agresion i mëtejmë nga Rusia ndaj Ukrainës do të pasohet me përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe të fuqishme. Ne jemi të përgatitur që bashkërisht të vendosim sanksione ekonomike dhe financiare, të cilat do të jenë masive dhe do të shkaktojnë pasoja të menjëhershme ndaj ekonomisë ruse”, u tha në deklaratë.
Në G7 bëjnë pjesë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Sipas inteligjencës amerikane, Rusia ka grumbulluar 130.000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe ka vendosur armatime të avancuara. Perëndimi thotë se grumbullimi mund të jetë përgatitje e Moskës për ta pushuar Ukrainën, por Kremlini mohon se ka plane të tilla.