Teksa tensionet rriten midis Perëndimit dhe antagonistëve si Rusia dhe Kina, frika se luftërat me përfaqësues mund të zhvillohen në një konflikt më të gjerë të armatosur po shtohet.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se pushtimi i mundshëm rus i Ukrainës mund të çojë në 50 mijë vdekje të civilëve dhe të shkaktojë një krizë të madhe refugjatësh në Evropë. Diku tjetër, analistët ndërkombëtarë po kërkojnë kujdes më të madh për pikat e shumta të nxehta ku Pekini mund të dëshirojë të lëjë shenjat ushtarake gjatë dekadës së ardhshme.
Rusia
Zyrtarët amerikanë pohuan në fundjavë se Rusia ka mbledhur rreth 70% të forcës ushtarake që do t’i duhej për të kryer një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës “dhe po dërgon ende më shumë grupe taktike batalionesh në kufirin me fqinjin e saj”.
Një zyrtar tjetër amerikan paralajmëroi se pushtimi rus mund të sjellë deri në 50 mijë vdekje civile dhe se kryeqyteti ukrainas mund të “bie brenda disa ditësh”, duke shkaktuar një krizë refugjatësh në Evropë pasi “miliona njerëz do të iknin nga shteti”.
Presidenti francez Emmanuel Macron foli me homologun e tij rus Vladimir Putin gjatë një darke pesë orëshe të hënën, por nuk dukej se ka arritur ndonjë përparim.
Aleatët perëndimorë shpresojnë të frenojnë Putinin me kërcënimin e sanksioneve, teksa presidenti i SHBA Joe Biden ka paralajmëruar se ai do t’i “i japë fund” projektit energjetik të Rusisë prej gati 8 miliardë eurosh, Nord Stream 2, nëse pushton Ukrainën.
Në fund të vitit të kaluar, ministrja e qeverisë ukrainase dhe ish-oficerja e lartë e inteligjencës Yuliia Laputina tha për Sky News se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia mund të shkaktojë “Luftën e 3-të Botërore” nëse veprimet ushtarake të Putinit do të përhapeshin në vendet e tjera ish-sovjetike.
Në shenjë të frikës së përshkallëzimit, Britania dhe SHBA kanë tërhequr stafin e ambasadës nga Ukraina në një lëvizje “paraprake” në janar. Të 2 shtetet kanë paralajmëruar për tërheqje të të gjitha trupave ushtarake.
Ukraina dhe Perëndimi gjithashtu kanë drejtuar gishtin drejt Rusisë për krizën e emigrantëve në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë. Qeveria bjelloruse është akuzuar se “ka shkaktuar krizën duke inkurajuar emigrantët nga Lindja e Mesme të vijnë në Bjellorusi dhe më pas t’i çojnë në kufi”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i sheh veprimet e Rusisë si pjesë të një plani më të gjerë.
“Kur shohim emigrantë të përdorur si armë, kur shohim dezinformimin e përdorur si armë, kur shohim gaz të përdorur si armë, dhe ushtarë dhe armët e tyre. Ato janë të gjithë pjesë e një strategjie të gjerë për të shkatërruar Evropën”, deklaroi ai.
Kina
Shefi i MI6, Richard Moore, ka paralajmëruar se ngritja e Kinës ishte “prioriteti i vetëm më i madh” i Shërbimit Sekret Informativ, pasi Pekini vazhdon “të kryejë operacione spiunazhi në shkallë të gjerë kundër Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë”.
Moore, i njohur si C, tha se “pllakat tektonike po zhvendosen” pasi Kina tregon gatishmëri shumë më shumë për të pohuar fuqinë e saj”.
Në fjalimin e tij të parë publik, të mbajtur në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në nëntor, ai tha se “forca ushtarake në rritje” e Pekinit dhe dëshira për ribashkim me Tajvanin, me forcë nëse është e nevojshme, “përbëjnë një sfidë serioze për stabilitetin dhe paqen globale”.
Komentet e tij erdhën disa javë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se Amerika e kishte për detyrë që ta mbronte Tajvanin.
Megjithatë, The New York Times sugjeroi se retorika e Bidenit “mund të jetë duke reflektuar një dëshirë për të ashpërsuar gjuhën e Uashingtonit për të kundërshtuar aftësitë e reja kineze, të cilat do të lejonin lëvizje shumë më delikate për të pushtuar Tajvanin”.
Irani
MI6 gjithashtu mbetet “e fokusuar në mënyrë aktive” në Iran, tha shefi i saj në nëntor, duke vënë në dukje se udhëheqja iraniane ka “përqafuar një doktrinë të qartë të konfliktit me Izraelin dhe Perëndimin” që nga revolucioni islamik më 1979-ën.
Vendi përdor Hezbollahun për të nxitur “trazira politike” në vendet e tjera, ka ndërtuar një “aftësi të konsiderueshme kibernetike” për t’u përdorur kundër rivalëve të tyre dhe vazhdon të zhvillojë teknologjinë bërthamore, tha Moore.
Bisedimet e shumëpritura për të rivendosur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 filluan në Vjenë në fund të vitit të kaluar, 3 vite pasi Donald Trump e largoi Iranin nga marrëveshja, shkruan The Times.
Biden dëshiron që Irani t’i bashkohet sërish marrëveshjes, e cila do të kufizonte aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të përfundimit të sanksioneve të dëmshme ekonomike. Megjithatë, Teherani po refuzon të mbajë bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin pasi nuk është më anëtare e marrëveshjes, transmeton Lajmi.net.
Pas ngecjes së negociatave të mëparshme mbi marrëveshjen, Irani zgjodhi një “president të ri, të vijës së ashpër” dhe ka pasur një sërë sulmesh, të dyshuara se kanë origjinën në Izrael, mbi programin bërthamor të vendit, duke përfshirë vrasjen e një shkencëtari kryesor iranian, tha NPR. “Kjo rrit rrezikun e konfliktit në tryezën e bisedimeve”.