Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka disa fjalë pasi gjatë ditës së premte Gjermania mbylli procesin e njohjes se pantentë shoferëve kosovar, e që rezultoi me sukses, përcjell InLajmi.
Sipas ministres ky proces nuk ishte aspak i lehtë, për faktin që shumë kosovar jetojnë dhe veprojnë në shtetin gjerman, e që sipas saj njohja e patentes do u lehtësoj veprimin atje.
Ndërsa ajo ka thënë se ky proces do të duhej të miratohej më herët, pasi sipas saj për ta pas një patentën gjermane një kosovar në Gjermani ka paguar mijëra euro.
Postimi i plotë i saj:
Me votën e Këshillit Federal gjerman, sot u përmbyll procesi i gjatë dhe i vështirë i njohjes së lejeve të drejtimit/patentave nga Kosova. Mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës në Gjermani kanë qenë për vite me radhë të privuar nga e drejta e tyre për të drejtuar automjete me lejen/patentën e tyre të fituar në Kosovë.
Ky proces do të duhej të kishte përfunduar shumë më herët. Mijëra Euro kanë paguar familjet shqiptare në Gjermani për të bërë patentën gjermane, e cila për një shumicë të konsiderueshme të tyre ndërlidhej drejtpërdrejtë me mundësinë për të punuar ose jo.
Megjithatë sot është një ditë e mirë, së cilës mund t’i gëzohemi të gjithë bashkë.
Jam e bindur që shembulli me Gjermaninë të jetë një ndihmesë e madhe edhe gjatë bisedimeve dhe negociatave që jemi duke zhvilluar me shtete të tjera rreth njohjes së lejeve/patentave tona.
Jam e ndërgjegjshme që qytetarët tanë jashtë vendit ballafaqohen edhe me plot sfida të tjera, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. Por në anën tjetër jam e bindur që me punë e përkushtim në të ardhmen do të mund t’i zgjidhim një e nga një edhe një pjesë të madhe të tyre.
Gjatë ditëve në vijim do të informoheni rreth afateve ligjore si dhe të gjitha detajeve të rëndësishme lidhur me përdorimin e lejes/patentës suaj në Gjermani.
Falënderoj nga zemra TË GJITHË ata, të cilët me punën e tyre kontribuan sado pak në njohjen e lejeve/patentave nga Kosova në Gjermani.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj veçanërisht ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas për mbajtjen e premtimit të dhënë vitin e kaluar në Prishtinë që çështjen e këtyre lejeve/patentave do ta përcillte në Këshillin Federal para se të përfundonte mandatin e tij. /InLajmi/