Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken deklaroi se Rusia mund ta sulmojë në çdo moment Ukrainën, madje edhe gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, të cilat zgjasin deri më 20 shkurt.
Blinken tha në Melburn se Departamenti i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Ukraina.
Departamenti i Shtetit tha se amerikanët duhet të largohen nga Ukraina për shkak të kërcënimit në rritje të veprimit ushtarak rus.
“Ne vazhdojmë të marrim shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit të situatës, duke përfshirë ardhjen e forcave të reja në kufirin ukrainas”, tha Blinken, shkruan Reuters
Forcat amerikane nuk janë aktualisht të autorizuara të hyjnë në Ukrainë nëse shpërthen një luftë dhe nuk ka plane që ato të kryejnë një operacion evakuimi jo luftarak të ngjashëm me operacionin e SHBA-së në Afganistan, transmeton Telegrafi.
SHBA ka vlerësuar se Rusia ka më shumë se 100.000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, me mijëra të shtuar vetëm këtë javë, sipas një zyrtari të administratës.