Bashkimi Evropian ka dënuar veprimet e Kuvendit të Republikës Sërpska – entitet në Bosnje e Hercegovinë , të cilat sipas tij çojnë drejt krijimit të një këshilli të ndarë gjyqësor dhe prokurorial.
Sipas BE-së ky veprim “paraqet një shkelje të papranueshme të rendit kushtetues dhe atij ligjor të Bosnje-Hercegovinës”.
“Nëse ky ligj miratohet, ai do të ketë pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve të Republika Sërpska, do të thellojë pasigurinë ligjore dhe jostabilitetin në sistemin ligjor të vendit, dhe do të dëmtojë seriozisht perspektivën evropiane të Bosnje-Hercegovinës”, është thënë në komunikatën e lëshuar nga blloku evropian.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë 2 entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.
Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.
Projektligji për krijimin e këtij këshilli në Republikën Sërpska, që ligjvënësit e mbështetën në seancën e së enjtes, është antikushtetues sepse transferon kompetencat nga niveli shtetëror i Bosnje-Hercegovinës në nivel të entitetit të Republikës Sërpska.
Një vendim të tillë, pra për kalimin e kompetencave nga niveli i shtetit te një nivel më i ulët i qeverisjes, mund ta marrë vetëm Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje liderëve në Bosnje- Hercegovinës, në veçanti atyre në Republikën Sërpska, që të ndalin hapat që rrisin tensionet dhe të sigurojnë rifillimin e një dialogu serioz brenda institucioneve të shtetit, në mënyrë që të adresohen shqetësimet që kanë.
BE kërkon që liderët të fokusohen nga reformat që do të siguronin tejkalimin e krizës dhe përmbushjen e kritereve të BE-së për statusin e kandidatit.
Bashkimi Evropian kësaj radhe ka paralajmëruar edhe masa që mund të ndërmarrë kundër atyre të cilët rrezikojnë unitetin e vendit dhe funksionimin e institucioneve.
“Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri e ka vendosur situatën në Bosnje-Hercegovinë dhe veprimet që dëmtojnë unitetin e vendit, në agjendën e takimit të ardhshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme”, është thënë mes tjerash në deklaratën e BE-së.
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj liderit të serbëve në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik edhe në BE ishin paraqitur ide që Bashkimi Evropian të ndjek të njëjtën rrugë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Këtë ide e kishte paraqitur edhe Gjermania. Por në BE nuk ka pasur pajtim nga të gjitha vendet anëtare për një gjë të tillë, sepse ato duan t’i japin mundësi dialogut.