Presioni i ndërkombëtarëve i dha efektet. Amendamenti kushtetues për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut u mbështet edhe Lulzim Basha me deputetët e tij. Ndryshimin e qëndrimit kryedemokrati e justifikoi nga selia e vet ku mblodhi në mëngjes grupin parlamentar.
Sali Berisha kishte një shpjegim për ndryshimin 180 në kursin e kryetarit të PD, i cili për vite me radhë që nga 2017, e ka konsideruar vetingun si të kapur e të korruptuar nga Rama.
Kryeministri Rama injoroi procesin e diskutimeve dhe u paraqit në sallë vetëm për të votuar.
Basha kishte regjistruar emrin mes folësve, por preferoi vetëm të replikonte me socialistët
Vrerin që kishte nxjerrë ndaj vetingut, Lulzim Bashës, ia risolli në vëmendje Sali Berisha, duke e vendosur para fjalëve të veta me zë dhe më figurë.
Lideri historik i demokratëve i qëndroi kritikave duke konfirmuar votën kundër, pa harruar të thumbojë pjesën tjetër të demokratëve.
Fatmir Xhafaj, njeriu simbol i reformës nga radhët e socialistëve kishte kritika për të gjithë, edhe ndërkombëtarët që vëzhgojnë drejtësinë e re. “Ata që e duan siç e kishin dje ta harrojnë”, tha ai.
Pro votoi edhe Fatmir Mediu, shkruan A2 CNN.
Në këmbim të votës për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut, Basha mori ngritjen e 2 komisonieve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.