Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk po trajtohet si palë e barabartë nga Bashkimi Europian në dialogun me Serbinë. BE shërben si ndërmjetësuese në këtë dialog dhe kërkon marrëveshje ligjërisht të obligueshme nëse këto 2 shtete dëshirojnë të vazhdojnë rrugën drejt integrimit europian, por Osmani thotë se BE-ja nuk po e kryen atë detyrë në mënyrë të drejtë.
Osmani ka thënë se BE bën presion tek Kosova për implementimin e Asociacionit, derisa Serbia nuk zbaton dhjetëra marrëveshje të dakorduara në Bruksel. Osmani po ashtu thotë se ka mbi 100 dokumente të cilat Serbia i ka nënshkruar në Bruksel, e shumë pak prej tyre zbatohen.
“Mos të harrojmë se nuk përmendet as nga institucionet e BE-së fatkeqësisht, që janë dhjetëra marrëveshje dhe mbi 100 dokumente, jo 33 por mbi 100, që janë prodhuar si pjesë e procesit të Brukselit. Disa janë marrëveshje, disa plane zbatimi, disa të tjera janë konkluzione të ndërmjetësueit. Disa të tjera quhen çuditërisht quhen reflektime të ndërmjetësuesit. Nëse shohim konkretisht, Kosova i ka zbatuar mbi 99% të marrëveshjeve dhe premtimeve, një nuk e ka zbatuar atë për Asociaionin e Komunave Serbe. Atë e ka rrëzuar Gjykata jonë Kushtetuese, me të drejtë. Ajo në fakt quhet si dokument i ndërmjetëm edhe pse është nënshkruar nga 2 kryeministra të 2 shteteve. Nëse shohim nga ana e Serbisë ka dhjetëra marrëveshje të paimplementuara”, u shpreh Osmani.
Presidentja e Kosovës po ashtu tha se Serbia po trajtohet si “fëmija i llastuar” dhe shtoi se deklarata e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për zbatimin e marrëveshjes së IBM për pika kufitare është e pasaktë, pasi Kosova e zbaton 100% atë marrëveshje ndërsa Serbia fare, tha Osmani në një intervist pë RTK.
“Asnjëherë nuk e dëgjojmë nga ana e BE-së që Serbia ka shumë marrëveshje që nuk i kanë implementuar. Prandaj është shumë me rëndësi ta themi këtë pasi që nëse një palë nuk trajtohet barabartë në dialog, nëse njëri trajtohet si fëmijë i llastuar sikur Serbia në këtë rast dhe nuk përmendet mosimplementimi i premtimeve dhe nënshkrimeve që ka bërë dhe së fundi ishte Lajcak në vizitë dhe shkon në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë atje dhe thotë se duhet zbatuar marrëveshja e IBM, edhe pse Kosova e zbaton 100% në përpikmëri atë marrëveshje ndërsa Serbia 0%, kjo tregon se palët me të vërtetë nuk po trajtohen barabartë”, tha Osmani.