Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se arsimi është një e drejtë e garantuar me konventa e ligje për të gjithë fëmijët pa dallim në Kosovë, përcjell InLajmi.
Ministrja Nagavci tutje bëri me dije se MASHTI do të ofrohet mbështetje për secilin fëmijë që ka nevojë, ndërsa theksoi faktin se do të sigurohen të gjitha palët e përfshira në procesin edukativ-arsimor të realizojnë përgjegjësitë e tyre.
Më tej, Nagavci përmes një statusi të gjatë lidhur me arsimimin e fëmijëve, theksoi se nuk do të mbetet asnjë fëmijë jashtë shkollës, ndërsa përmendi edhe shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Po ashtu ajo njoftoi se tashmë kanë mundësuar punësimin e 100 asistentëve për këta fëmijë, proces që po monitorohet nga Ministria.
Po ashtu tha ajo, MASHTI do të vazhdojmë punësimin e të tjerëve në vitet në vijim.
Postimi i plotë i saj:
Asnjë fëmijë nuk do të mbetet jashtë shkollës!
Arsimi është një e drejtë e garantuar me konventa e ligje për të gjithë fëmijët pa dallim dhe ne do të sigurohemi që të gjithë fëmijët në Kosovë të kenë çasje në edukim e arsim. Do të ofrojmë mbështetje për secilin fëmijë që ka nevojë e do të sigurohemi që të gjitha palët e përfshira në procesin edukativo-arsimir të realizojnë me përpikmëri përgjegjësitë e tyre.
Sot, kam kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin/funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pegadogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Mungesa apo jofunksionaliteti i ekipeve vlerësuese pedagogjike në komuna po i dëmton fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit dhe shkollat pasi që nuk arrijmë të kemi të dhëna/informata të sakta për nxënësit me nevoja të veçanta, shkallën e funksionalitetit të tyre, nevojat që ata kanë për resurse dhe mbështetje pedagogjike. Si rezultat i kësaj ne kemi fëmije me nevoja të veçanta pa përkrahje, prindër të pakënaqur dhe shkolla që ballafaqohen në përditshmëri me mungesë të përkrahjes nga nivelet komunale për ta bërë punën e tyre më të lehtë dhe më profesionale.
Ekipet vlerësuese komunale janë mekanizma shumë të rëndësishëm për të vlerësuar dhe vendosur se cilët fëmijë me nevoja të veçanta kanë kosto të cilat vijnë si pasojë e aftësisë se kufizuar të fëmijës. Andaj në vitet në vazhdim mjete financiarë dhe burimoret njerëzore për këtë qëllim do të përfitojnë vetëm komunat të cilat nevojat për resurse dhe mjete financiare i përcaktojnë bazuar në vlerësimin dhe nevojat e identifikuara nga ky vlerësim.
MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Instrumentet janë të bazuara në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionalitetit për fëmije dhe të rinjë (ICF) dhe janë të dizajnuara që t’i përgjigjen të gjitha llojeve të aftësisë se kufizuar sipas qasjes bio-psiko-sociale, që nënkupton që e vlerësojnë fëmijën në të gjitha aspektet.
Në mbështetje të funksionimit me të mirë të ekipeve vlerësuese janë hartuar edhe dokumentet tjera përcjellëse për inicimin dhe dokumentimin e procesit të punës se ekipit vlerësues komunal. E gjithë pakoja me instrumente dhe dokumente përcjellëse është edhe në formën elektronike, për të lehtësuar dhe dokumentuar procesin e identifikimin, vlerësimit dhe përcjelljes së përparimit të fëmijëve me nevojat të veçanta, që janë në sistemin arsimor.
Përkundër rëndësisë së madhe të ekipeve vlerësuese për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe faktit se kjo është e rregulluar me legjislacionin në fuqi, kjo kërkesë për vite me radhë vazhdon të jetë e shpërfillur nga ana e komunave. Andaj sot edhe një herë kam kërkuar themelimin e ekipeve vlerësuese, ashtu që të angazhohemi bashkarisht për ngritjen e kapaciteteve të tyre për të kryer punën siç parashihet me legjislacionin në fuqi.
MASHTI, gjatë muajve mars-maj 2022, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës do të ofroi trajnimin 5 ditor për të gjithë anëtaret e ekipeve vlerësuese komunale me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre për të kryer funksionin për të cilën janë themeluar.
Ne po avancojmë politikat arsimore në këtë drejtim dhe tashmë kemi mundësuar punësimin e 100 asistentëve për këta fëmijë, proces që po monitorohet nga Ministria. Do të vazhdojmë punësimin e të tjerëve në vitet në vijim. Por krahas politikave të avansuara e gjithëpërfshirëse që janë kompetencë dhe përgjegjësi e jona, bashkëpunimi me komunat, shkollat, mësimdhënësit, prindërit e nxënësit është i domosdoshëm që të sigurohet arsim e mirëqenie për secilin. Fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e të gjithëve.
Ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim, në të njejtën kohë do të përdorim të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion që të sigurohemi për më të mirën për fëmijët tanë, sepse vetëm kështu do të sigurojmë një të ardhme më të mire edhe për vendin tonë!/InLajmi/