Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar rastin e dekorimit të familjarëve të 2 heronjve, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, nga presidentja Vjosa Osmani, përcjell InLajmi.
Ai këtë gjest të presidentes Osmani e ka quajtur mbulesë të pasqyrës së pushtetit të VV-së.
Tutje ai ka thënë se përkujtimit po i ndërron arsyeja, duke thënë se askush nuk pyeti se pse u bënë ato protesta.
Ndryshe, Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë në protestë nga ushtarët e UNIMK-ut më 10 shkurt të vitit 2007.
Postimi i plotë i tij:
10 shkurti u përkujtua. Medalje e dekorata u dhanë. Përkujtimit po i ndërron arsyeja. Ai ka humbur çdo raport fjale e vepre me aktualizimin. Nuk pyeti kush pse u protestua me 10 shkurt. Çfarë kërkuan protestuesit? Ku janë ato kërkesa sot? A është pushteti i ri reflektim, apo mohim i kërkesave të 10 shkurtit?
E shkuara nuk shkon. Ajo akumulohet përbrenda, nxjerr kryet dhe shprishë vellon e re, idilikën e harmonisë. 10 shkurti është pasqyra e pushtetit të VV-së tjetërsuar. Dekoratat, medaljet, përkujtimet janë mbulesa për këtë pasqyrë. Nuk e shohin dot veten aty. Një ditë do ta thyejnë fare këtë pasqyrë./InLajmi/