Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se ditët e ardhshme mund të jenë momenti më i rrezikshëm në krizën më të madhe të sigurisë së Evropës me dekada në kohën kur Rusia po zhvillon ushtrime ushtarake në Bjellorusi. Sidoqoftë, ai tha se beson që Moska ende nuk ka vendosur nëse do ta pushtojë Ukrainën.
“Sinqerisht nuk mendoj se është marrë një vendim” nga Moska për të pushtuar, tha kryeministri britanik para gazetarëve në selinë qendrore të NATO-s, në Bruksel, ku u prit nga sekretari i përgjithshëm i kësaj aleance, Jens Stoltenberg.
“Kjo nuk do të thotë se është e pamundshme që diçka absolutisht katastorfale të mund të ndodhë vërtet së shpejti dhe inteligjenca jonë, kam frikë të them, mbetet e zymtë”, shtoi ai
Ai tha se ky ndoshta është momenti më i rrezikshëm, në rrjedhën e disa ditëve të ardhshme, në atë që është kriza më e madhe e sigurisë me të cilën Evropa është përballur me dekada dhe duhet ta trajtojmë në mënyrën e duhur.
Për rrezikun ndaj sigurisë evropiane foli edhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha:“Ky është një moment i rrezikshëm për sigurinë evropiane. Numri i forcave ruse është duke u rritur. Koha paralajmëruese për një sulm të mundshëm është duke u pakësuar’’, shkruan Reuters.
Johnson tha se përkundër të gjithave, ne duhet të përgatitemi për më të keqen, transmeton Gazeta Express.
“NATO-ja nuk është kërcënim për Rusinë, por ne duhet të përgatitemi për më të keqen derisa mbetemi të përkushtuar fuqishëm për gjetjen e një zgjidhjeje politike”,shtoi ai.