Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar sërish pas propozim-vendimit të ZRRE-së të miratuar nga Qeveria e Kosovës, për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike, përcjell InLajmi.
Tutje nga AAK thonë se nuk ka transparencë se si do të përdoren paratë e qytetarëve të Kosovës për subvencionim të energjisë elektrike.
Sipas tyre kryeministri Kurti, këto para të qytetarëve po i përdor ‘’për të fshehur dështimin e tij’’.
AAK i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe ZRRE-së për transparence ndaj qytetarëve për mënyrën e ndarjes së 100 milionë eurove të taksave të tyre.
Postimi i plotë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:
Kanë kaluar 48 orë prej kur ZRRE e rriti në mënyrë drastike çmimin e energjisë elektrike dhe akoma nuk ka transparencë se si po përdoren paratë e taksave të qytetarëve për subvencionim.
Paratë tuaja, qytetarë të nderuar, Kurti po i përdor për të fshehur dështimin e tij dhe për të thënë se ‘rryma për 800 kilovatët e parë nuk shtrenjtohet’.
Është e vërtetë që në faturë kjo pjesë nuk do figurojë, por shtrenjtimi do të ndodhë, veçse diferencën e paguan qeveria, po me paratë tuaja. Plus ky subvencionim do të hiqet fundvitin e ardhshëm dhe prap barra do të jetë individuale e juaja.
Prej dje Shteti do të jetë më i varfër e me këtë edhe ju do të jeni më të varfër.
I bëjmë thirrje ZRRE-së dhe qeverisë që të tregojnë transparencë dhe menjëherë të tregojnë çmimin real dhe mënyrën e ndarjes së 100 milionë eurove të taksave tona.
Si rrjedhojë e këtij mashtrimi ordiner i bëjmë thirrje qeverisë që ta shfuqizojë vendimin për shtrenjtimin e rrymës./InLajmi/