Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, po qëndron në Zagreb ku është takuar me homologen kroate, Ministren e Bujqësisë, Marija Vuçkoviq, përcjell InLajmi.
Ai ka bërë të ditur se në takim u bisedua për mnudësitë e bashkëpunimit ndër-institucional mes 2 shteteve.
Tutje Peci tregon se Kroacia do ta mbështesë Kosovën në fushën e bujqësisë, i cili shtoi se e ka ftuar ministren Vuçkoviq ta vizitojë Kosovën.
Postimi i plotë i tij:
Ishte kënaqësi dhe nder i veçantë takimi që zhvillova me homologen kroate, Ministren e Bujqësisë znj. Marija Vuçkoviq gjatë vizitës zyrtare në Zagreb.
Bashkëbiseduam për mundësitë e bashkëpunimit ndër-institucional me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës kroate si në përmirësim të politikave zhvillimore ashtu edhe në plotësimin e kritereve të akreditimit për mekanizmat financiar të para anëtarësimit në BE (IPARD) duke qenë se pikësynim i yni është sigurimi i këtyre fondeve me qëllim të rritjes së përkrahjes financiare ndaj fermerëve tanë.
U sigurova nga Ministrja Vuçkoviq se mbështetja e Kroacisë ndaj Kosovës nuk do të mungojë as në sektorin e bujqësisë. Ndërkaq e ftova Ministren që ta vizitojë Kosovën, që të njihet nga afër me sektorin dhe t’i zyrtarizojmë qëndrimet përmes nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit mes 2 vendeve në një të ardhme të afërt.
I shpreha konsideratat e mia më të larta përkrahjes së Shtetit kroat për Kosovën e sidomos në fatkeqsinë e Sllavonski Brodit ku mbetën të vdekur 10 qytetarë kosovarë dhe u plagosën 30 të tjerë.
I dhurova në shenjë respekti disa nga produktet më të mira vendore dhe e sigurova se gjatë vizitës në Kosovë, do të njihet me shumë histori suksesi të prodhuesve dhe agro-përpunuesve kosovarë, me punën e të cilëve krenohemi kudo në botë./InLajmi/