Periudha e keqe e Cristiano Ronaldos me Manchester United po vazhdon, pas një tjetër paraqitje pa gola kundër Burnley të martën mbrëma, ku tani ylli portugez ka thatësirën e tij më të gjatë para portës që nga viti 2008-2009.
Rikthimi i Ronaldos në “Old Trafford” pas transferimit të tij të verës nga Juventusi nuk ka shkuar plotësisht sipas planit, pasi ka qenë larg përrallës që shumëkush shpresonte.
Në vend të kësaj, ka qenë një sezon i përzier si për klubin ashtu edhe për lojtarin, dhe javët e fundit ëndrra po duket më shumë si një makth.
Djajtë e Kuq janë aktualisht në vendin e pestë në Ligën Premier, që është një zhgënjim dhe duket se edhe Tottenham Hotspur do t’i rivalizojë për pozitat e para.
Ronaldo mori shumë lavdërime në fillim të sezonit për faktin se shpeshherë e nxori Unitedin e dobët nga situatat e vështira, dhe shifrat e tij prej 14 golave dhe tre asistimeve në 26 ndeshje mbeten të respektueshme, por ish-lojtari i Real Madridit tani ka kaluar 5 ndeshje pa shënuar dhe është hera e parë në 13 vjet.
Në fakt, tani jemi në shkurt dhe 37-vjeçari nuk ka shënuar ende në asnjë garë këtë vit kalendarik.
Ndeshje pa gola ishin kundër Wolverhampton, Brentford, West Ham United, Burnley (Liga Premier) dhe Middlesbrough (FA Cup), ku Ronaldo humbi edhe një penallti.
Me skuadrën që i duhet shumë të rregullojë formën e saj në kampionat, tani e pret një ndeshje e madhe në Ligën e Kampionëve me Atletico Madridin dhe shterpësia e Ronaldos nuk ka ardhur në një moment të mirë.
5 ndeshje pa shënuar nuk i kishte ndodhur Ronaldos as me klubet e tij të mëparshme Juventusin dje Real Madridin, shkruan Telegrafi.
Herën e fundit që ai shkoi kaq gjatë pa e gjetur rrjetën ishte në periudhën e tij të parë te Man United, kur ai shkoi në nëntë ndeshje pa gol në sezonin 2008-2009.