Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën e Prindon Sadriut, bashkëshorti i presidentes së vendit Vjosa Osmani, që ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, përcjell InLajmi.
Prindon Sadriu kishte thënë se gazetarët dhe mediat e vendit tonë kanë keqpërdorur çdo gjë të mundshme publike, duke përmendur akomodime nëpër hotele si dhe dreka e darka që sipas tij kushtonin mijëra dollarë.
Sipas AGK-së, akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i presidentes Osmani, shtojnë pasigurinë e gazetarëve dhe mediave në Kosovë
Reagimi i plotë i AGK-së:
AGK-ja dënon sulmet e bashkëshortit të Presidentes Osmani ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë.
Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre./InLajmi/




















