Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani i cili është njëkohësisht pjesëtar rezervë i Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe ushtrues detyre i Ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë Veriore, përdor llogarinë e tij zyrtare në Facebook për tu deklaruar rreth çështjeve të shumta politike, gjë që është shkelje e rëndë disiplinore të Kodit Disiplinor të FSK-së.
Sadriu përmes postimeve në rrjete sociale, shpesh herë është deklaruar për çështje politike në mbrojtje të presidentes Osmani, por nuk është kursyer as në mbështetjen publike të krerëve të tjerë të shtetit.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka thënë se çështja e deklarimit publik ose animit politik të pjesëtarëve të FSK-së është e rregulluar me Ligj.
Ai ka thënë se nuk është i sigurt nëse e njëjta vlen edhe për rezervistët e FSK-së, duke iu referuar rastit të Prindon Sadriut.
“Kjo çështje është e rregulluar me Ligj. Ata nuk kanë të drejtë të mbajnë anë politike ose të deklarohen politikisht në mbështetje të ndonjë subjekti politik apo lideri. Kështu që është e dënueshme në rast se ata deklarohen ose mbështesin ose marrin pjesë nëpër tubime partiake”, tha Berisha.
I pyetur lidhur me rastin konkret të bashkëshortit të presidentes Osmani, ai tha se nuk është i sigurt sa i përket pjesëtarëve rezervë.
“Tani për këta oficerët rezervë nuk jam i sigurtë sepse këta nuk janë pjesë aktive e ushtrisë dhe nuk jam i sigurt ligjërisht se si është e definuar pjesa e tyre, por për ushtarët aktivë jam i sigurt siç thashë më herët”, ka deklaruar Berisha për Lajmi.net.
Prindon Sadriu së fundmi ka përkrahur haptas krerët e shtetit, duke iu referuar një lëshimi nga disa media në Kosovë.
Duke postuar një foto ku shihen Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe ministrja e Jashtme nga Lista Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, Sadriu ka shkruar “Ata ‘qepojnë’, këta punojnë”.
Kjo e shumë postime të tjera të Sadriut në Facebook në përkrahje të aktiviteteve politike të krerëve të shtetit, po dalin të jenë shkelje të rënda disiplinore bazuar në Kodin Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas nenit 21 të këtij Kodi, paragrafi 2.9, shkelje e rëndë disiplinore konsiderohet edhe shkelja e paanshmërisë politike.
Për shkelje të rënda disiplinore, sipas nenit 16 të Kodit Disiplinor të FSK-së, pjesëtarit të FSK-së mund t’i shqiptohet njëra nga sanksionet disiplinore si:1.1. Largimi nga FSK-ja; 1.2. Transferimi në njësi tjetër; 1.3. Transferim i përkohshëm në njësi tjetër prej 6 deri në 12 muaj. Ky sanksion mund të shqiptohet vetëm 2 herë brenda 5 vjetëve ndaj pjesëtarit; 1.4. Gjoba në pagë, ku paga mujore mund të zbritet prej 16% deri në 30% në muaj për një periudhë kohore prej 3 deri në 6 muaj. 2. Gjoba në pagë llogaritet në momentin kur i shqiptohet sanksioni pjesëtarit.
Paanshmëria politike është gjithashtu një ndër parimet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas Kodit të Mirësjelljes së pjesëtarëve të FSK-së. Bazuar në Nenin 3, paragrafi 1.3 mbi Parimet e shërbimit, pjesëtarët e FSK-së gjatë shërbimit janë të obliguar t’i përmbahen paanshmërisë politike.
Sipas Nenit 2 mbi Fushëveprimin e Kodit të Mirësjelljes, Kodi i Mirësjelljes i FSK-së është i zbatueshëm “për pjesëtarët aktiv, rezervë, kadetët dhe rekrutët e FSK-së, në shërbim brenda dhe jashtë vendit”.
Anshmëria politike është e ndaluar edhe sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Neni 6 i këtij Ligji mbi paanshmërinë politike sipas paragrafit 2 dhe nënparagrafeve 2.1 dhe 2.2 ndalon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të jenë anëtarë të partive politike, organizatave ose shoqatave me karakter politik dhe të marrin pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre e as nuk mund të shfaqin shenja të përkrahjes së cilësdo prej tyre.
Megjithatë, Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, vazhdon të jetë pjesëtar rezervë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkundër deklaratave publike në përkrahje të krerëve të shtetit.